RISHIKOHET “DEMARKACIONI”, MARRËVESHJE MES PRESIDENTËVE TË MALIT TË ZI DHE KOSOVËS

Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviq dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës të ratifikojë Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror të Malit të Zi dhe Kosovës, të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë.

Ata me këtë rast nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të ratifikojë këtë marrëveshje. Në deklaratën e përbashkët të dy presidentëve thuhet: “Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen sipas Nenit 12 të marrëveshjes.Republika e Kosovës dhe Mali i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se marrëveshja ka hy në fuqi do të formojnë një trup të përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare”.

Ndërsa në kumtesë të lëshuar nga  kabineti i Presidentit të Malit të Zi Filip Vujanoviq thuhet se: “Një thirrje e përbashkët bëhet në bazë të besimit reciprok, vullnetit të mirë dhe nevojës për përmirësim të mëtejshëm të marrëdhënieve, duke respektuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy vendeve, duke përmbushur detyrimet e Kartës së OKB-së dhe duke respektuar Strategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor”.

Ndërkaq edhe kryeministri i Kosovës  Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë aneks-marrëveshje për Demarkacion. “Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.

Nga postimi i Haradinajt në Facebook kuptohet se, marrëveshja e re vendos rishikimin e pjesës së ujdisë që lidhet me përcaktimin e kufijve të dy zonave problematike atë të Çakorrit dhe Zhlepit.

Ndryshe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se marrëveshja për Demarkacion në mes dy presidentëve, është e papranueshme, e padrejtë dhe mashtruese. “Deklarata Thaçi-Vujanoviq, është mashtrim. Kuvendi duhet urgjentisht të formojë komisionin hetimor parlamentar ku do të shqyrtohet çështja e Demarkacionit me Malin e Zi dhe VV qysh sot do të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve për këtë iniciativë”, tha Kurti.

SHARE