BALLKANI PERËNDIMOR DO TË JETË PRIORITET GJATË PRESIDENCËS RUMUNE ME KËSHILLIN E BE-së

Me vazhdimin e marrëdhënieve të mira dypalëshe, Rumania do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi, në procesin e integrimit evropian, sidomos gjatë presidencës së atij shtetit me këshillin e BE-së, në gjysmën e parë të vitit 2019, u kumtua gjatë takimit të ministrit të Çështjeve Evropiane Aleksandar Andrija Pejoviq me ambasadorin e Rumanisë në Mal të Zi, Ferdinand Nagja.

Pejoviq, falënderoi ambasadorin Nagja, për mbështetjen të cilën Rumania i ofron Malit të Zi, në procesin negociues me Bashkimin Evropian dhe shprehu kënaqësi  për marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve.

“Përvoja e kolegëve tanë nga Rumania në rrugën e tyre drejt BE-së është e çmuar gjatë procesit të reformës në të cilin po  punojmë çdo ditë. Presim që mbështetja në realizimin e agjendës evropiane do të përmirësohet dhe intensifikohet veçanërisht gjatë presidencës rumune me këshillin e BE-së “, vuri në dukje Pejoviq.

Ndërsa  ambasadori rumun Ferdinand Nagja, rikujtoi se që nga ky moment ka filluar përgatitja për presidencën e Këshillit të Be-së dhe shtoi se integrimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të jenë një nga prioritet e presidencës rumune, pasi që kjo është interes i përbashkët i rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Ai përshëndeti përpjekjet e Qeverisë së Malit të Zi dhe angazhimin maksimal të tij,  për të arritur qëllimin më të rëndësishëm të politikës së jashtme, të  anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

SHARE