DEBAT PUBLIK PËR VENDIMIN MBI TAKSAT LOKALE TË KOMUNËS SË TUZIT

0
263

Sot në  sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, u mbajt debat publik për  vendimin mbi taksat lokale komunale të Komunës së Tuzit. Udhëheqësi i këtij debati Emin Haxhi, prezantoi para këshilltarëve prezent, këto vendime. Mbi këto vendime  vërejtje pati nga Këshilltari i Demokratëve, Shtjefën Camaj I cili propozoi zbritjen e çmimeve të taksave në disa nga këto shërbime.

Me këtë  vendim aplikohen taksat lokale komunale, përcaktohet lartësia e tyre, mënyra dhe afatet e pagesës, si dhe kryerja e punëve të përcaktimit, pagesës dhe kontrollit të pagesës së taksës lokale komunale.

Taksat komunale aplikohen për:

  1. Shfrytëzimin e hapësirës në sipërfaqe publike, përveç shitjes së shtypit, librave dhe të publikimeve tjera, të shitjes së punimeve të zejeve të vjetra dhe të punimeve shtëpiake;
  2. Mbajtjen apo organizimin e muzikës, në objektet hoteliere, me përjashtim të muzikës së riprodhuar me mjete mekanike(gramafoni, regjistrues kasetë, radio, TV, etj);
  3. Shfrytëzimin e panove dhe bilbordeve reklamuese përveç pranë rrugëve magjistrale dhe regjionale;
  4. Shfrytëzimin e hapësirës për parkim të automjeteve rrugore dhe atyre ndihmëse, motoçikleta dhe biçikleta, në vende të rregulluara dhe të shënuara;
  5. Shfrytëzimin e sipërfaqeve për kampim, vendosjen e tendave apo të objekteve të tjera për shfrytëzim të përkohshëm;
  6. Shfrytëzimin e vitrinave për ekspozimin e mallrave jashtë ambienteve të biznesit;
  7. Mbajtjen e instalimeve të lundrueshme, mjeteve lundruese dhe objekteve të tjera në ujë;
  8. Mbajtjen e restoranteve dhe objekteve të tjera hoteliere dhe zbavitëse në ujë;
  9. Mbajtjen e  bazave të betonit dhe të asfaltuara dhe bazave për dërrmimin dhe përpunimin e gurit dhe prodhimit të rërës;
  10. Shfrytëzimin e sipërfaqeve të lira për rrugët e kartingut, parqet zbavitëse dhe cirqe;
  11. Shfrytëzimin e bregut për qëllime biznesi.

Me këto vendime paguesi I taksës komunale është shfrytëzuesi i të drejtave, gjërave dhe shërbimeve për shfrytëzimin e të cilave me këtë vendim është paraparë pagesa e taksës komunale.

Obligimet tatimore nga neni 3 i këtij vendimi nis me ditën e fillimit të shfrytëzimit të të drejtave, gjërave dhe shërbimeve për shfrytëzimin e të cilave është paraparë pagesa e taksës komunale.

Ky debat do të jetë i hapur për propozime dhe vërejtje për tre ditët e ardhshme, ndërsa vendimin mbi këtë do ta sjellë Kuvendi i Komunës së Tuzit.-

SHARE