MALI I ZI TË HËNËN HAP KAPITULLIN 27-MJEDIS JETËSOR

Mali i Zi, të hënën  në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, do të hapë negociatat për kapitullin 27, që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike. Siç njoftohet, delegacioni shtetëror i Malit të Zi do të kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Srgjan Darmanoviq. Pjesë e delegacionit do të jetë negociatori kryesor për negociatat me Bashkimin Evropian Alleksandar Drleviq, Ministri i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit Pavlle Radulloviq, si dhe negociatori dhe Shefi i Grupit punues për Kapitullin 27, Sasha Radulloviq dhe Ivana Vojinoviq.

Siç vlerësohet, konferenca Ndërqeveritare, në të cilën do të hapet kapitulli 27, është konfirmim i reformave të zbatuara me sukses në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike.

“Gjithashtu, kjo është konfirmim i vendosmërisë dhe angazhimit të Qeverisë dhe të gjithë shoqërisë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ruajtjen e biodiversitetit të pasur dhe zbatimin e parimeve dhe standardeve të zhvillimit të qëndrueshëm”, kumtuan nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së MZ. Ministri i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit të MZ, Pavlle Radulloviq, më parë ka thënë se shpenzimet për këtë kapitull do të jenë 1.6 miliardë euro.

SHARE