PRESIN PRANI MË TË MADHE TË KOMPANIVE EVROPIANE

Qeveria e Malit të Zi,  pret një prani më të madhe të kompanive evropiane në realizimin e pjesëve të tjera të autostradës Tivarë-Bolare, me qëllim që të sigurojnë në përputhje të plotë parimet e konkurrencës dhe të përcaktojnë kushtet optimale për realizimin  e tij,deklaroi ministri i transportit dhe marrëdhënieve detare, Osman Nurkoviq.

Ai gjatë takimit me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Aivo Orav, tha se nuk ka privilegje në këtë proces, gjegjësisht se çmimet dhe afatet për realizim dhe cilësinë e punës, si dhe përvoja dhe referencat janë rekomandimet e vetme që do të vlerësohen.

“Fakti që Serbia, në realizimin e projektit Beograd – Adriatiku Jugor, i afrohet kufirit me Malin e Zi, stimulon rritjen e interesit të partnerëve potencial, financuesve dhe kontraktorëve të mundshëm për realizimin e një pjese të projektit përmes Malit të Zi, kështu që realizimi i këtij projektit nuk mund të jetë më i diskutueshëm”, theksoi Nurkoviq.

Ai gjithashtu shtoi se Memorandumi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për projektin e ndërtimit të autostradës Tivarë-Bolare mbi parimet e partneritetit privat-publik, të nënshkruar kohët e fundit me përfaqësuesit e China Road and Bridge Corporation nuk e çon atë kompani në një pozicion të privilegjuar.

Nurkoviq beson se kjo  është e vetmja  kompani, e cila së pari ka shprehur interes, e që është edhe e kuptueshme, sepse tashmë është e pranishme në treg, gjegjësisht në projektin e ndërtimit të autostradës.

Ai rikujtoi se kohë më parë i ftoi të gjitha palët e interesuara të tregojnë interes dhe të propozojnë kushtet dhe modelet për realizimin e pjesëve të tjera të autostradës, mbi parimet e partneritetit privat-publik dhe duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, duke respektuar gjithnjë parimin e trajtimit të barabartë, konkurrencën e lirë dhe mos diskriminimin.

SHARE