DALIBOR JAUKOVIQ HODHI BOMBËN NË AMBASADËN AMERIKANE NË PODGORICË

Policia e MZ, konfirmoi se Dalibor Jaukoviq, është personi i cili kishte hedhur bombën në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, mbrëmë pak minuta pas mesnate, ndërsa më vonë hodhi edhe vetën në erë me anë të eksplozivit.

Jaukoviq, ka jetuar në Podgoricë ndërsa është i lindur në Kralevë të Serbisë.

Në profilin Facebook, të Jaukoviq, është e publikuar se ai është ish ushtar i dekorua me Medaljen për Merita në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Republikën Federative të Jugosllavisë në vitin 1999.

Duke gjykuar nga publikimet e tij në Facebook, ai ishte kundërshtar i hyrjes së Malit të Zi në NATO.

Nga Policia thuhet se janë duke punuar intensivisht në përcaktimin e motivit të sulmit.

Përndryshe, në ndërtesën e Ambasadës së SHBA në Podgoricë, nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Në llogarinë Twitter të Ambasadës së SHBA-së, në Podgoricë u njoftua se pas kontrollit të brendshëm u konstatua se personeli i ambasadës, pas incidentit, është në gjendje sigurie. “Faleminderit të gjithëve që na dërguat mbështetje dhe mendime të mira”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane në Twiter.  Ndryshe Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë.  “Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e saj të uebit. Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytet dhe të monitorojnë mediet lokale për përditësime mbi situatën.

Lidhur me rastin e sulmit të këtij mëngjesit,  e ngarkuara me punë pranë ambasadës amerikane në Podgoricë  Xhudi Kuo, priti këtë mëngjes ministrin e Brendshëm të MZ,  Mevlludin Nuhoxhiq dhe Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Sllavko Stojanoviq, të cilët në emër të Qeverisë së Malit të Zi e dënuan ashpër këtë incident.

“Jemi mirënjohës ndaj partnerit dhe aleatit tonë, Qeverisë së Malit të Zi, në bashkëpunim të ngushtë dhe falënderojmë policinë për mbështetje profesionale në hetimin e incidentit të sotëm”, ​​shkruan ambasada amerikane në Twiter.

SHARE