DRLEVIQ: BASHKËPUNIMI I TË GJITHË AKTORËVE ËSHTË VENDIMTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN

Shoqëria civile është shumë e rëndësishme për procesin e pranimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian  dhe për këtë arsye duhet të përmirësohet dialogu i drejtpërdrejtë midis Qeverisë dhe sektorit civil, vlerësoi kryenegociatori i Malit të Zi për pranim në Bashkimin Evropian, Aleksandar Drleviq.

Ai mendon se, përveç pikëpamjeve kritike të gjërave, shoqëria civile duhet gjithashtu të ketë propozime konkrete konstruktive për aktivitete të përbashkëta me Qeverinë.

Ai tha se bashkëpunimi me Qeverinë u forcua veçanërisht nëpërmjet pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile në grupet punuese për përgatitjen e negociatave.

“Ata përbëjnë gati një të tretën e strukturës së negociatave me rreth 1.4 mijë anëtarë”, tha Drleviq në takimin e njëmbëdhjetë të Komitetit të Përbashkët Konsultativ të shoqërisë civile të BE dhe Malit të Zi.

Sipas Drleviq, sektori civil është lojtar i rëndësishëm në drejtimin e shoqërisë malazeze drejt vlerave evropiane, duke monitoruar negociatat dhe duke marrë pjesë aktive në këtë proces.

Sipas tij, shoqëria civile e BE-së dhe Malit të Zi, është një bazë e rëndësishme për përmirësimin e dialogut politik dhe social dhe për të shqyrtuar drejtimet dhe perspektivat e mëtejshme të procesit të negociatave.

“Është në interes të të gjithëve të punojnë së bashku në ndryshimet socio-ekonomike të qëndrueshme që do të garantojnë një kornizë aksesi cilësor dhe do të japin legjitimitet për fazat e mëtejshme dhe më kërkuese të transformimit të shoqërisë malazeze”, thuhet në deklaratë të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë së Malit të Zi.

Shefi i  Delegacionit të BE-së, në Malin e Zi, Aivo Orav, vlerësoi se anëtarësimi në BE nuk është vetëm një çështje e burokracisë së Brukselit, Qeverisë dhe zyrtarëve të saj, por diçka që mund të ndryshojë jetën e njerëzve në Malin e Zi.

“Pikëpamjet e shoqërisë civile në procesin e zgjerimit përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në vetë procesin.

Procesi i integrimit evropian nuk është dhe nuk duhet të jetë një projekt vetëm për elitat, është diçka që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, si dhe për të gjithë qytetarët e BE-së “, tha Orav.

SHARE