DRLEVIQ – ORAV: MBËSHTETJE E BE-së PËR TË VAZHDUAR REFORMAT

0
28

Mali i Zi do të përqendrohet në rrumbullakosjen e reformave në të gjithë kapitujt, në të cilat do të ketë mbështetjen e Bashkimit Evropian, u theksua gjatë takimit me kryenegociatorin e Malit të Zi, për Bashkimin Evropian,  Aleksandar Drleviq dhe shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, Aivo Orav.

Nga Qeveria e MZ, kumtuan se Drleviq dhe Orav, me bashkëpunëtorë, mbajtën takimin e parë pas formimit të Zyrës për Integrime Evropiane.

“Ata diskutuan për aktivitetet e ardhshme lidhur me përmbushjen e detyrimeve nga procesi i negociatave dhe financimin e projekteve nga fondet e IPA, zbatimi i të cilave është me rëndësi të madhe në përmbushjen e standardeve evropiane”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu thuhet se është arritur një komunikim më intensiv dhe i rregullt midis Delegacionit të BE-së dhe Zyrës së Integrimit Evropian.

Drleviq tha se do të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit me të gjitha palët e interesuara, veçanërisht me përfaqësuesit e sektorit joqeveritar dhe mediet, me qëllim që të gjithë  së bashku të kontribuojnë për integrimin e Malit të Zi në BE.

Orav përgëzoi Drleviq për marrjen e detyrës si kryenegociator dhe tha se e gëzon vazhdimi i bashkëpunimin me një ekip të aftë, të fortë dhe me përvojë.

“BE-ja ka dhënë një kornizë për Malin e Zi dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani është e juaja që të bëni detyrat e shtëpisë, kurse ne presim që sa më shpejtë të bëheni anëtarë të Bashkimit Evropian “, tha Orav.

SHARE