ASH REAGON LIDHUR MË RASTIN E VIZITËS SË AMFILLOHIES NË SHAS

0
10

Një numër i dukshëm i komunitetit shqiptar nga Ana e Malit dhe zyrtarë vendor të Komunës së Ulqinit, të dielën protestuan ndaj pranisë së përfaqësueseve të Kishës Ortodokse Serbe në qytetin e vjetër të Shasit, me këtë rast përmes një komunikate për shtyp reagoi Alternativa Shqiptare.

Në kumtesën e Ash-së,thuhet se në Anë të Malit, në mënyrë antiligjore dhe antinjerëzore,antidemokratike dhe tejet arrogante, kryesuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, AmfillohijeRadoviq, bashkë me një turmë të ashtuquajturish besimtarë, dhunuan tempullin fetaro-kulturorë të shqiptarëve.

”Marrëzia dhe provokimi i Radoviqit, ideologut të politikes serbomadhe, antishqiptare po dhe anti-malazeze, kundër çdo gjëje që nuk është serbe, shkon deri aty, sa që Kishën e Shën Gjonit, gjatë meshës e quan Kishë Serbe e pronë të veten. Ky nuk është provokimi i parë që bën ky “zotëria” ndaj shqiptarëve. Para disa vitesh, nën përcielljen e ushtrisë dhe aviacionit serb, instaloi në Maje të Rumisë një Kishë metalike Ortodokse Serbe, vetëm për t’i provokuar shqiptaret dhe për ta prishur harmoninë ndëretnike dhe ndërkonfesionale në Mal të Zi. Si atëherë si sot, qëllimi ishte i njëjtë, ndërsa Organet e rendit dhe Ministritë përkatëse, nuk i kryen detyrat e veta, as atëherë e as sot, por lejuan që provokimi i Amfillohije Radoviq të shkoj deri në fund. Edhe për kundër vendimeve gjyqësore që kisha metalike të largohej nga Rumia, edhe sot e kësaj dite ajo vazhdon të qëndrojë aty ku nuk e ka vendin. Me gjithë kundërshtimet e protestën që bënë qytetarët vendas të Anës së Malit, për ta mbrojtur kishën e tyre, të ruajtur nder shekuj nga po ata, Amfillohije Radoviq bashkë me hordën e tij, nën përkujdesjen dhe sigurinë e organeve të rëndit, hyri në oborrin e kishës ku celebroi edhe meshën. Kjo hordë gjatë hyrjes për në kishë, lëshoi edhe parulla të tipit se “Ju jeni musliman dhe skeni të drejtë ta mbroni kishën”, “turp të keni për përkatësinë tuaj kombëtarë” dhe “ argumentoni se jeni shqiptarë.  U themi “zotërinjve te nderuar” që kërkojnë argumente mbi përkatësinë tonë kombëtare, se dëshmia më e mirë ishte pikërisht sot, kur banoret vendas të Anës së Malit, të gjithë të konfesionit Islam, e mbrojtën kishën e Shën Gjonit si tempull të vetin. Pra, kur u rrezikua kisha, ata u ndien të provokuar në menyrë kombëtare. Me siguri se kjo i dhemb edhe më shumë Amfillohijes dhe adhuruesve të ideologjisë së tij, mirëpo kjo për shqiptarët nuk është e re por përditshmëri”, kumtojnë nga ASH-ja.

Alternativa Shqiptare, kërkon prej Organeve kompetente që të merren masat dhe të deklarohen lidhur me situatën dhe vizitën e Amfillohije Radoviq ku kërkojnë sqarime se kush ia mundësoi një organizim të tillë, një vizitë të paftuar?!.

Nga ASH-ja, kumtojnë se ky nuk është reagimi i vetëm që do të bëjë Alternativa Shqiptare, por sigurojnë se këtë problematikë do ta shqyrtojnë deri në zgjidhjen definitive, duke mos kursyer asnjë mekanizëm demokratik e kushtetues.

SHARE