NIMANBEGU PROPOZON QË TË HEQEN GJOBAT ME RASTIN E SHFAQJES SË SIMBOLEVE TË NJË SHTETI TJETËR

0
9

Deputeti i koalicionit, “Shqiptarët të Vendosur”,  Genci Nimanbegu, propozoi që të hiqet dispozita ligjore, në të cilën përcaktohet që një qytetar i cili ne vend publik shfaqë flamurin, stemën apo simbolin e një shteti tjetër, pa autorizim, të gjobitet me para ose të burgoset.

Për këtë vepër penale, për personat fizik është e parashikuar gjobë nga 100 deri në 500 euro, ose burgim prej 30 ditësh.

Nimanbegu thekson se nevoja për miratimin e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, është rezultat i monitorimit të zbatimit të nenit 23. “Shembulli i turistëve në Budvë të cilët janë dënuar sipas padisë së Qendrës për siguri, për shkak se kanë mbajtur flamurin dhe shembulli i fundit nga Ulqini, kur një qytetar është dërguar në Qendrën për siguri dhe i është dashur të japë deklaratë për shkak të vendosjes sē simbolit kombëtar në Ditën e flamurit të popullit shqiptarë dhe është kërcënuar me gjobë”, thekson Nimanbegu.

Në Malin e Zi si një vend turistik, thotë ai, ka dhjetëra flamuj nga personat juridikë dhe fizikë, si dhe turistët që vizitojnë atë vend. Duke zbatuar fjalë për fjalë këtë ligj të gjithë duhet të ndëshkohen. Pasi kjo dispozitë është diskriminuese, ajo duhet të fshihet”, thekson Nimanbegu në amendamentet e propozuara në Ligjin për rendin dhe qetësinë publike, të cilat gjenden në procedurën parlamentare.

Ai kujton se gjatë miratimit të Ligjit në vitin 2011, ata paralajmëruan se kjo dispozitë ishte e diskutueshme dhe se do të zbatohet vetem në mënyrë selektive.

“Me miratimin e këtij ligji do të realizohet niveli më i lartë i të drejtave dhe lirive të njeriut në Malin e Zi”, vlerësoi Nimanbegu, i cili është njëkohësisht edhe  nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

SHARE