DARMANOVIQ: SOLIDARITET ME NATO DHE BE

0
68

Me dëbimin e diplomatit rus, Mali i Zi ka treguar solidaritet me NATO-n dhe aleatët e Bashkimit Evropian, kumtoi Ministri i Punëve të Jashtme të MZ, Srgjan Darmanoviq. Ai gjatë vizitës së tij në Bullgari, kujtoi se Mali i Zi, për shkak të rastit Skripal, dëboi diplomatin rus dhe i ka ndërprerë atij autorizimin për veprim si konsull të nderit të Federatës Ruse.

Darmanoviq, kumtoi se Mali i Zi, në këtë rast vendosi të ndjekë politikën e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se Mali i Zi në tetor të vitit 2016, ishte  viktimë e sulmit të Rusisë në rastin e përpjekjeve për terrorizëm gjatë ditës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në MZ.

Darmanoviq, tha se aleatët atëherë na dhanë mbështetje, për të ditur se çfarë po ndodh dhe për t’i treguar botës se çfarë ndodhi.

“Tani është koha që ne të tregojmë të njëjtën solidaritet, kemi marrë anëtarësimin tonë në NATO dhe anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian. Prandaj besojmë se ne duhet të mbrojmë vlerat e përbashkëta. Sigurisht, askush nuk dëshiron të përplaset me Rusinë, veçanërisht jo një vend i vogël siç është Mali i Zi, kjo nuk është një lojë, ne duam marrëdhënie të mira me të gjithë, përfshirë edhe Rusinë, por ne në çdo situatë mbrojmë të drejtën për të zgjedhur rrugën tonë “, përfundoi Darmanoviq.

SHARE